

Takim zyrtar në Ambasadën Austriake: Forcimi i bashkëpunimit në fushën e gjermanistikës dhe kulturës evropiane
Dekanja e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra, realizoi sot një takim zyrtar në Ambasadën Austriake në Prishtinë me Zëvendësambasadoren e Austrisë në Kosovë, znj. Clarissa Castek.
Gjatë takimit u diskutuan mundësi konkrete për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor, me fokus të veçantë në Departamentin e Gjuhës dhe Letersise Gjermane, përfshirë mundësinë e angazhimit të një lektori të gjuhës gjermane me përgatitje bashkëkohore didaktike dhe kulturore.
Po ashtu, u trajtua furnizimi dhe aktivizimi i Këndit Austriak në nivel fakulteti, si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e letërsisë, kulturës dhe mendimit austriak, si dhe për organizimin e aktiviteteve kulturore me studentë dhe staf akademik.
Në kuadër të takimit, u shkëmbyen ide edhe për bashkëpunime kulturore ndërkombëtare dhe projekte që synojnë forcimin e mendimit kritik, dialogut kulturor dhe rolit të gjuhës e letërsisë në shoqërinë bashkëkohore, me fokus tek studentët dhe të rinjtë.
Fakulteti i Filologjisë mbetet i përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare, duke e konsideruar diplomacinë kulturore dhe akademike si një shtyllë thelbësore të zhvillimit universitar.


